• All e-books and audiobooks on The New Life Mission website are free
  • Explore multilingual sermons in global languages
  • Two new revised editions in English have been released
  • Check out our website translated into 27 languages
Search

Sermons

Subject 1 : Sin

[1-1] Në Fillim duhet t’i njohim mëkatet tona në mënyrë që të shëlbehemi (Marku 7:8-9, 20-23)

2021.03.22 180
Në Fillim duhet t’i njohim mëkatet tona në mënyrë që të shëlbehemi(Marku 7:8-9)
“Keni lënë mënjanë urdhërimin e Perëndisë, dhe mbani traditën e njerëzve – larje brokash dhe kupash; dhe bëni shumë gjëra të ngjashme. – Dhe u thoshte: ‘Sa mirë e hidhni poshtë urdhërimin e Perëndisë, që të mbani traditën tuaj’”.
 
(Marku 7:20-23)
“Ai thoshte: ‘Çka del prej njeriut, ajo e përlyen njeriun. Sepse nga brenda, nga zemra e njerëzve, dalin mendimet e këqija, imoraliteti, vjedhjet, vrasjet, tradhtitë bashkëshortore, pangopësitë, ligësitë, mashtrimi, epshi, syri i lig, blasfemia, kryelartësia, mendjelehtësia. Të gjitha këto gjëra të liga dalin nga brenda dhe e përlyejnë njeriun’”.
 
 
Në fillim, do të doja të përcaktoja se çfarë është mëkati. Ka mëkate të përcaktuara nga Perëndia dhe ka mëkate të përcaktuara nga njerëzimi. Fjala mëkat në greqisht do të thotë “të mos qëllosh në shenjë”. Do të thotë të mos ta bësh një gjë ashtu siç duhet. Ne bëjmë mëkat në qoftë se nuk i ndjekim urdhërat e Perëndisë në mënyrë të drejtë. Në fillim le t’i hedhim një sy mëkateve ashtu siç përcaktohen ato nga njerëzimi.
 
Çfarë është mëkati?
Është të mos i bindesh urdhërave të Perëndisë
 
Ne e masim mëkatin sipas ndërgjegjes sonë. Me fjalë të tjera, ai nuk është një shkelje kundër urdhërimeve të Perëndisë, por gjykohet sipas mjedisit shoqëror, zemrës dhe ndërgjegjes së një personi.
Ai gjykohet nga çdo individ. Në këtë mënyrë, i njëjti veprim mund të konsiderohet ose mund të mos konsiderohet si mëkat dhe kjo varet nga standardet personale të çdo individi. Kjo është arsyeja pse Perëndia na ka dhënë 613 nene të Ligjit, që të përdoren si standard për gjykim.
Diagrami i mëposhtëm ilustron mëkatin njerëzor.
 
ligji kombëtar, e drejta civile
Ndërgjegja e njeriut
Ligji i Perëndisë
moraliteti, normat shoqërore
 
Prandaj, ne asnjëherë nuk duhet t’i vendosim standardet tona në bazë të ndërgjegjes sonë.
Mëkati i ndërgjegjes sonë nuk është në pajtim me atë që Perëndia ka përcaktuar si mëkat. Prandaj ne nuk duhet të dëgjojmë ndërgjegjen tonë, por në vend të kësaj, duhet t’i bazojmë veprimet tona në urdhërimet e Perëndisë.
Secili prej nesh ka idetë e veta se çfarë është mëkati. Disa i konsiderojnë mëkat të metat e tyre dhe të tjerët i konsiderojnë ato si qëndrime të mbrapshta.
Për shembull, në Kore, njerëzit i shtrojnë me bar varret e prindërve të tyre dhe e konsiderojnë si detyrën e tyre ta kosisin barin dhe të tregojnë kujdes për varret e tyre derisa ata të vdesin vetë. Por në rastin e një fisi primitiv në Guinenë e Re Papua, ata i nderojnë prindërit e tyre të vdekur duke e ndarë trupin e tyre mes pjesëtarëve të familjes dhe duke e ngrënë atë. (Nuk jam i sigurt nëse e gatuajnë ose jo para se ta hanë.) Duket se ata e bëjnë këtë që ta parandalojnë trupin të hahet nga krimbat. Këto zakone ilustrojnë faktin që konceptet njerëzore të mëkatit mund të ndryshojnë në mënyrë të gjerë.
Kështu është në të dyja rastet se çfarë është mirë dhe çfarë është mëkat. Megjithatë, Bibla thotë se është mëkat të mos i bindesh urdhërave të Tij. “Keni lënë mënjanë urdhërimin e Perëndisë; dhe mbani traditën e njerëzve – larje brokash dhe kupash; dhe bëni shumë gjëra të ngjashme. – Dhe u thoshte: “Sa mirë e hidhni poshtë urdhërimin e Perëndisë, që të mbani traditën tuaj” (Marku 7:8-9). Perëndia nuk i jep rëndësi pamjes sonë të jashtme. Ai shikon në thellësi të zemrave tona.
 
 
KRITERET PERSONALE TË NJERËZVE PËRBËJNË MËKAT PËRPARA PERËNDISË
 
Cili është mëkati më i rëndë?
Është të nënvleftësosh fjalën e Perëndisë
 
Më lejoni t’ju tregoj se çfarë është mëkat përpara Perëndisë. Është që të mos jetosh sipas vullnetit të Tij. Është që të mos besosh në fjalën e Tij. Perëndia tha që është mëkat të jetosh si Farizenjtë të cilët i hodhën poshtë urdhërimet e Perëndisë dhe i kushtuan më shumë vëmendje mësimeve të tyre tradicionale. Dhe Jezusi i konsideronte Farizenjtë hipokritë.
“Në cilin Perëndi besoni? A tregoni me të vërtetë nderim të madh dhe a më respektoni Mua? Ju mburreni me emrin Tim, po a më nderoni Mua në të vërtetë?” Njerëzit vetëm shikojnë pamjen e jashtme dhe nënvleftësojnë Fjalën e Tij. Dhe kjo është një mëkat përpara Tij. Mëkati më i rëndë është që ta nënvleftësosh Fjalën e Tij. A e dinit ju këtë? Ky është mëkati i të gjitha mëkateve.
Dobësitë tona janë vetëm gabime, thjesht shkelje. Gabimet që bëjmë dhe fajet që kryejmë për shkak të papërsosmërisë tonë nuk janë mëkate themelore, por të meta. Perëndia i dallon mëkatet nga të metat. Ata që shpërfillin Fjalën e Tij janë mëkatarë madje edhe nëse nuk kanë të meta. Ata janë mëkatarë të mëdhenj përpara Perëndisë. Kjo është arsyeja që Jezusi i qortoi Farizenjtë.
Në Pentatok (Pesë librat e parë në Bibël të shkruara nga Moisiu), që nga Zanafilla e deri tek Ligji i Përtërirë, gjenden urdhërime që na tregojnë çfarë të bëjmë dhe çfarë të mos bëjmë. Ato janë fjalët e Perëndisë, urdhërimet e Tij. Ne mund të mos jemi në gjendje për t’i mbajtur ato 100%, ose mund të mos jemi në gjendje për të mbajtur asnjërën nga ato, por ne duhet t’i njohim ato si urdhërimet e Tij. Ai na i ka dhënë ato që nga fillimi dhe ne duhet t’i pranojmë si të tilla.
“Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën”. Pastaj Ai tha: “U bëftë drita!” dhe drita u bë”. Ai krijoi gjithçka. Dhe Ai themeloi Ligjin.
“Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne dhe Ai është fjala” (Gjoni 1:1, 14). Atëherë si e shfaq Veten Perëndia tek ne? Ai na e shfaq Veten nëpërmjet urdhërimeve të Tij. Perëndia është Fjala dhe Ai e shfaq Veten nëpërmjet urdhërimeve. Perëndia është Fryma. Dhe çfarë e quajmë ne Biblën? Ne e quajmë fjalën e Perëndisë.
Këtu është thënë: “Keni lënë mënjanë urdhërimin e Perëndisë, dhe mbani traditën e njerëzve”. Këto janë 613 nene të Ligjit të Tij. Bëj këtë por mos bëj atë, nderoi prindërit e tu... etj. Tek Levitiku thuhet gratë duhet të bëjnë kështu dhe burrat duhet të bëjnë kështu dhe se çfarë duhet bërë kur një kafshë shtëpijake bie në hendek... Këto janë 613 nene të tilla, Ligji i Tij.
Meqënëse ato nuk janë fjalët e një qenieje njerëzore, ne duhet të mendojmë rreth tyre vazhdimisht. Ne duhet t’i bindemi Perëndisë dhe, edhe sikur të mos jemi në gjendje t’i mbajmë të gjitha Ligjet e Tij, të paktën duhet t’i pranojmë ato.
A ka qoftë edhe një fjalë të vetme të Perëndisë që nuk është e drejtë? Farizenjtë i lanë mënjanë urdhërimet e Perëndisë. Ata vunë traditën e njerëzve mbi urdhërimet e Tij. Fjalët e kryetarëve të tyre patën më shumë peshë se fjalët e Perëndisë. Kështu ishte kur lindi Jezusi. Jezusit nuk i pëlqente aspak sidomos kur njerëzit nuk i njihnin fjalët e Perëndisë.
Perëndia na ka dhënë 613 nene të Ligjit për të na mësuar se Ai është e Vërteta, Ai është Perëndia ynë, se cilat janë mëkatet tona përpara tij dhe për të na treguar Shenjtërinë e Tij. Prandaj, meqë ne të gjithë jemi mëkatarë përpara Tij, ne duhet të besojmë në Jezus, i cili u dërgua tek ne prej Perëndisë për shkak të dashurisë së Tij për ne dhe ne duhet të jetojmë me besim.
Ata që e venë mënjanë Fjalën e Tij, ata që nuk besojnë janë mëkatarë. Edhe ata që nuk janë në gjendje ta mbajnë Fjalën e Tij janë mëkatarë, por mëkati më i madh është të vesh mënjanë Fjalën e Tij. Ata janë ata që do të përfundojnë në ferr. Të mos besosh është të mëkatosh përpara Tij.
 
 

ARËSYEJA PSE PERËNDIA NA DHA LIGJIN

 
Pse na dha Perëndia Ligjin?
Në mënyrë që ne t’i kuptojmë mëkatet tona dhe dënimin për to

Cila është arësyeja që Perëndia na dha Ligjin? Për t’i kuptuar mëkatet tona dhe për t’u kthyer në krahët e Tij. Ai na dha 613 nene të Ligjit në mënyrë që ne t’i kuptojmë mëkatet tona dhe të shëlbehemi nëpërmjet Jezusit. Kjo është arësyeja që Perëndia na dha Ligjin.
 Tek Romakët 3:20 thuhet: “Nëpërmjet Ligjit arrihet njohja e mëkatit”. Atëherë ne e dimë se shkaku që Perëndia na dha Ligjin nuk është që të na detyrojë ta zbatojmë atë.
Atëherë, cila është njohuria që fitojmë nga Ligji? Është që ne jemi shumë të dobët t’i bindemi Ligjit në tërësinë e tij dhe që jemi mëkatarë përpara Tij. Dhe çfarë kuptojmë ne nga 613 nenet e Ligjit të Tij? Ne kuptojmë të metat tona, paaftësinë tonë për të zbatuar Ligjin e Tij. Kuptojmë që ne, krijesat e Perëndisë jemi qenie të pafuqishme. Ne kuptojmë që ne jemi mëkatarë përpara Tij dhe që ne të gjithë duhej të përfundonim në ferr sipas Ligjit të Tij.
Kur ne kuptojmë mëkatet tona dhe gjithashtu pafuqinë tonë, atëherë çfarë bëjmë? A përpiqemi të bëhemi qenie të kompletuara? Jo. Ajo që duhet të bëjmë është që ta pranojmë që jemi mëkatarë, të besojmë në Jezus, në mënyrë që të shëlbehemi nëpërmjet shpëtimit të Tij me ujë dhe me Frymë dhe ta falënderojmë Atë.
Arësyeja që Ai na dha Ligjin është që ne t’i kuptojmë mëkatet tona dhe dënimet për ato mëkate, në mënyrë që ta dimë që nuk mund të shpëtojmë nga ferri pa Jezusin. Në qoftë se besojmë tek Jezusi si Shpëtimtari ynë, ne do të shëlbehemi. Ai na e dha Ligjin që të na shpëtojë.
Ai na dha Ligjin që ne ta kuptojmë se sa mëkatarë të mëdhenj jemi dhe që të na shpëtojë shpirtërat tanë nga mëkati. Ai na dha Ligjin dhe dërgoi Jezusin të na shpëtojë. Ai dërgoi Birin e Tij të marrë përsipër mëkatet tona nëpërmjet pagëzimit të Tij. Dhe ne mund të shpëtohemi duke besuar në Të.
Ne duhet ta kuptojmë se jemi mëkatarë të pashpresë dhe duhet të besojmë në Jezus në mënyrë që të çlirohemi nga mëkati, të bëhemi fëmijët e Tij dhe t’ia kthejmë lavdinë Perëndisë.
Ne duhet ta kuptojmë Fjalën e Tij. Të gjitha fillimet janë nga Ai. Ne gjithashtu duhet të fillojmë me Fjalën e tij dhe të kuptojmë të vërtetën e shëlbimit nëpërmjet Fjalës së Tij. Ne duhet të mendojmë dhe të gjykojmë nëpërmjet Fjalës së Tij. Ky është besimi i drejtë dhe i vërtetë.
 
 
ÇFARË KA NË ZEMRËN E NJË NJERIU?
 
Çfarë duhet të bëjmë përpara Perëndisë?
Në duhet t’i pohojmë mëkatet tona dhe të kërkojmë shpëtimin e Perëndisë.
 
Besimi duhet të fillojë me Fjalët e Tij dhe ne duhet të besojmë në Perëndi nëpërmjet Fjalës së Tij. Nëse nuk e bëjmë këtë, ne do të biem në gabim. Ky do të ishte besimi i gabuar dhe jo i vërtetë.
Kur Farizenjtë dhe skribët panë dishepujt e Jezusit që po hanin bukë me duar të palara, ata nuk do t’i kishin qortuar nëse do ta kishin parë këtë gjë nga këndvështrimi i fjalës së Perëndisë. Fjala na tregon se çfarëdo gjëje që hyn tek njeriu nga jashtë nuk mund ta përlyejë atë, pasi shkon në stomakun e tij, jo në zemrën e tij dhe pastaj del jashtë.
Ashtu siç është thënë tek Marku 7:20-23: “Ai thoshte: “Çka del prej njeriut, ajo e përlyen njeriun. Sepse nga brenda, nga zemra e njerëzve, dalin mendimet e këqija, imoraliteti, vjedhjet, vrasjet, tradhtitë bashkëshortore, pangopësitë, ligësitë, mashtrimi, epshi, syri i lig, blasfemia, kryelartësia, mendjelehtësia. Të gjitha këto gjëra të liga dalin nga brenda dhe e përlyejnë njeriun”. Ai tha që njerëzit janë mëkatarë pasi ata kanë lindur me mëkat.
A e kuptoni se çfarë do të thotë kjo? Ne të gjithë jemi pasardhësit e Adamit. Ne nuk mund ta shikojmë të vërtetën, pasi ose nuk i pranojmë ose nuk besojmë në të gjitha Fjalët e Tij. Çfarë ka brenda zemrës së një njeriu?
Le të shikojmë tek Marku 7:21-22: “Sepse nga brenda, nga zemra e njerëzve, dalin mendimet e këqija, imoraliteti, vjedhjet, vrasjet, tradhtitë bashkëshortore, pangopësitë, ligësitë, mashtrimi, epshi, syri i lig, blasfemia, kryelartësia, mendjelehtësia”. Të gjithë këto dalin nga zemra e njeriut dhe e përlyejnë atë dhe gjithashtu edhe të tjerët.
Është shënuar tek Psalmet: “Kur mendoj qiejt e Tu, që janë vepër e gishtërinjve të Tu, hënën dhe yjet që Ti ke vendosur, Çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh?” (Psalmeve 8:3-4).
Pse na viziton Ai ne? Ai na viziton pasi na do. Ai na krijoi, na deshi dhe na mëshiroi ne mëkatarëve. Ai i fshiu të gjithë mëkatet tona dhe na bëri njerëzit e Tij. “O Zot, Zoti ynë, sa i shkëlqyer është emri Yt në të gjithë tokën, Qiejt!” Mbreti David këndoi në Dhjatën e Vjetër kur ai pa se Perëndia do të bëheshe Shpëtimtari i mëkatarëve.
Dhe në Dhjatën e Re, apostulli Pal tha të njëjtën gjë. Është një gjë kaq e habitshme që ne, krijesa të Perëndisë, mund të bëhemi fëmijët e Tij. Kjo është arritur vetëm nëpërmjet dhembshurisë së Tij për ne. Kjo është dashuria e Perëndisë.
Të përpiqesh të zbatosh plotësisht ligjin e Perëndisë, është në një mënyrë sikur të përpiqesh ta sfidosh Atë. Dhe gjithashtu është një mendim që vjen nga injoranca jonë. Nuk është e drejtë që të jetosh jashtë dashurisë së Tij ndërsa përpiqemi të zbatojmë Ligjin dhe të lutemi. Është vullneti i Perëndisë që ne ta kuptojmë që jemi mëkatarë nëpërmjet Ligjit dhe të besojmë në shëlbimin e ujit dhe të gjakut (Frymës).
Fjala e Tij është shkruar tek Marku 7:20-23: “Çka del prej njeriut, ajo e përlyen njeriun. Sepse nga brenda, nga zemra e njerëzve, dalin mendimet e këqija, imoraliteti, vjedhjet, vrasjet, tradhtitë bashkëshortore, pangopësitë, ligësitë, mashtrimi, epshi, syri i lig, blasfemia, kryelartësia, mendjelehtësia. Të gjitha këto gjëra të liga dalin nga brenda dhe e përlyejnë njeriun”.
Jezusi tha që çfarë del prej një qenieje njerëzore, mëkatet brenda, e përlyejnë atë. Ushqimi që na jep Perëndia nuk mund të përlyejnë dikë. Të gjitha krijesat janë të pastra, por vetëm gjërat që dalin jashtë një personi, që janë mëkatet e tij, e përlyejnë atë. Ne të gjithë kemi lindur si pasardhës të Adamit. Atëherë, në ç’mënyrë kemi lindur? Ne kemi lindur me dymbëdhjetë lloje mëkatesh. A nuk është e vërtetë kjo?
Atëherë, a mund të jetojmë pa mëkat? Ne do të vazhdojmë të mëkatojmë pasi kemi lindur me mëkat. A mund ta ndalojmë veten nga mëkatimi vetëm sepse e njohim Ligjin? A mund t’u përmbahemi urdhërimeve? Jo.
Sa më shumë të përpiqemi, aq më e vështirë bëhet. Ne duhet t’i kuptojmë kufizimet tona dhe të japim dorëheqje. Pastaj, me mendje të përulura, ne mund ta pranojmë pagëzimin dhe gjakun e Jezusit i cili na shpëton.
Të 613 artikujt e Ligjit janë të vërteta dhe të drejta. Por njerëzit janë mëkatarë që nga koha që ata u ngjizën në barkun e nënës. Kur ne arrijmë ta kuptojmë se ligji i Perëndisë është i drejtë, por që ne kemi lindur mëkatarë të cilët asnjëherë nuk mund të arrijnë të bëhen të drejtë vetë, ne gjithashtu kuptojmë se kemi nevojë për dhembshurinë e Perëndisë dhe se kemi nevojë të shpëtohemi me anë të shëlbimit të Jezusit në ujin, gjakun dhe Frymën. Kur ne i kuptojmë kufizimet tona, që ne nuk mund të bëhemi të drejtë vetë dhe që do të shkojmë në ferr për shkak të mëkateve tona, nuk kemi asnjë rrugëdalje tjetër përveçse t’i varim shpresat në shëlbimin e Jezusit.
Dhe kështu në këtë mënyrë ne mund të shpëtohemi. Ne duhet ta dimë se vetë nuk mund të bëhemi të drejtë ose të mirë përpara Perëndisë. Prandaj ne duhet ta pranojmë përpara Perëndisë që jemi mëkatarë të destinuar të shkojmë në ferr dhe mund të lutemi për dhembshurinë e Tij: “Perëndi, të lutem më shpëto nga mëkatet e mia dhe ki mëshirë për mua”.
Ne priremi ta shikojmë lutjen e Davidit si Fjalën e shkruar të Perëndisë. “Me qëllim që Ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon” (Psalmeve 51:4).
Ai e dinte që ishte një lëmsh i madh mëkati i cili ishte aq i keq sa të hidheshe në ferr, por ai e pranoi atë përpara Perëndisë. “Në qoftë se Ti më quan një mëkatar, unë jam një mëkatar; në qoftë se Ti më quan të drejtë, unë jam i drejtë; në qoftë se Ti më shpëton, unë do të shpëtohem; dhe në qoftë se Ti më dërgon në ferr, unë do të përfundoj në ferr”.
Ky është besimi i drejtë. Kjo është mënyra se si shpëtohemi. Kjo është mënyra se si duhet të jemi nëse shpresojmë të jemi gati të besojmë në shëlbimin e Jezusit.
 
 

NE DUHET TA DIMË ME SAKTËSI SE CILAT JANË MËKATET TONA

 
Meqënëse ne të gjithë jemi pasardhësit e Adamit, ne të gjithë kemi lakmi në zemrat tona. Megjithatë, çfarë na tregon Perëndia? Ai na thotë të mos shkelim kurorë. Ne kemi kryer vrasje në zemrat tona, por çfarë na thotë Perëndia? Ai na thotë të mos vrasim. Ne të gjithë i kemi kundërshtuar prindërit në zemrat tona, por Ai na thotë t’i nderojmë prindërit tanë. Ne duhet ta kuptojmë se të gjitha Fjalët e Tij janë të drejta dhe të mira dhe se të gjithë ne kemi mëkatuar në zemrat tona.
A është e vërtetë kjo apo jo? Prandaj, çfarë duhet të bëjmë përpara Perëndisë? Ne duhet ta pranojmë se jemi lëmshinj të mëdhenj mëkati, mëkatarë pa shpresë. Nuk është e drejtë të mendojmë se ishim të drejtë dje për shkak se kryem vepra të mira dhe mëkatarë sot për shkak se sot kryem mëkate. Ne kemi lindur mëkatarë. Çfarëdolloj gjëje që të bëjmë, ne përsëri do mbetemi mëkatarë. Kjo është arësyeja që duhet të shëlbehemi nëpërmjet pagëzimit të Jezusit.
Ne nuk jemi mëkatarë për shkak të veprimeve tona: shkelje kurore, vrasje, vjedhje... por jemi mëkatarë pasi kemi lindur mëkatarë. Ne kemi lindur me dymbëdhjetë lloje mëkatesh. Meqënëse kemi lindur mëkatarë në sytë e Perëndisë, ne asnjëherë nuk mund të bëhemi të mirë vetëm me anë të përpjekjeve tona. Ne vetëm mund të pretendojmë se jemi të mirë.
Ne kemi lindur me mendje të mbushura plot me mëkate të tilla si vrasje, vjedhje, etj... Atëherë, si mund të bëhemi të drejtë, pasi në të vërtetë, ne nuk i kryejmë këto mëkate? Ne asnjëherë nuk mund të bëhemi vetë të drejtë përpara Perëndisë. Nëse pretendojmë se jemi të drejtë, kjo është hipokrizi. Jezusi i quajti Farizenjtë dhe skribët “Farizenjtë dhe skribët hipokritë”. Njerëzit kanë lindur mëkatarë. Ata mëkatojnë përpara Perëndisë gjatë gjithë jetës së tyre.
Të gjithë ata që pretendojnë se as nuk janë zënë ose nuk kanë qëlluar ndonjë, as nuk kanë vjedhur qoftë edhe një gjilpërë nga ndonjë njeri tjetër gjatë gjithë jetës së tyre, ata gënjejnë, pasi njerëzit kanë lindur mëkatarë. Ai që thotë këtë është një gënjeshtar, mëkatar dhe hipokrit. Kjo është mënyra se si e shikon Perëndia atë.
Ti je një mëkatar i lindur. Edhe pse nuk kryen as edhe një mëkat, do të shkosh në ferr. Edhe pse në përgjithësi e ke zbatuar Ligjin dhe shumicën e urdhërimeve, përsëri mbetesh një mëkatar dhe je i destinuar të shkosh në ferr.
Atëherë çfarë duhet të bëjmë në praninë e një fati të tillë? Ne duhet të kërkojmë për dhembshurinë e Tij dhe të varemi tek Ai për të shpëtuar nga mëkatet tona. Në qoftë se Ai nuk na shpëton, nuk kemi asnjë rrugëdalje tjetër përveçse të shkojmë në ferr. Ky është fati ynë.
Ata që e pranojnë Fjalën e Tij gjithashtu pohojnë se në të vërtetë janë mëkatarë. Dhe gjithashtu ata e dinë se ata janë të drejtët. Në këtë mënyrë ata e dinë që hedhja mënjanë e Fjalës së Tij pa e njohur Fjalën e Tij është mëkat. Ata që e pranojnë Fjalën e Tij janë të drejtët, edhe pse më parë ishin mëkatarë. Ata kanë lindur përsëri nëpërmjet Fjalës së Tij dhe marrin mëshirën e Tij. Ata janë më të bekuarit.
 
 
ATA QË PËRPIQEN TË SHËLBEHEN NËPËRMJET VEPRAVE TË TYRE PËRSËRI MBETEN MËKATARË
 
Kush mbeten përsëri mëkatarë edhe pasi ata besojnë në Jezus?
Ata që përpiqen të shëlbehen nëpërmjet veprave të tyre
 
Le të shikojmë Galatasve 3:10 dhe 11: “Të gjithë ata që mbështeten në veprat e Ligjit, janë nën mallkim, sepse është shkruar: ‘I mallkuar është cilido që nuk u përmbahet të gjitha atyre që janë shkruar në librin e ligjit, për t’i vënë ato në jetë’”. Pra është e qartë që asnjë nuk justifikohet nga ligji në syrin e Perëndisë, pasi “Të drejtët do të jetojnë me anë të besimit”.
Është thënë se i mallkuar është cilido që nuk u përmbahet të gjitha atyre që janë shkruar në librin e ligjit, për t’i vënë ato në jetë. Ata që besojnë në Jezus por përpiqen të justifikohen me anë të punëve të tyre janë të mallkuar. Ku janë ata që po përpiqen të justifikohen nëpërmjet veprave të tyre? Ata janë nën mallkimin e Perëndisë.
Pse na dhe Perëndia Ligjin? Ai na dha Ligjin që ne t’i kuptojmë mëkatet tona (Romakëve 3:20). Që ne ta kuptojmë se jemi tërësisht mëkatarë dhe që jemi të destinuar të shkojmë në ferr.
Prandaj, ajo që ju duhet të bëni është që të besoni në pagëzimin e Jezusit dhe në Birin e Perëndisë dhe të lindeni përsëri prej ujit dhe prej Frymës. Atëherë ju do të shpëtoheni nga mëkatet tuaja, do të bëheni të drejtë, do të keni jetë të përjetshme dhe do të shkoni në qiell. Kini besim në zemrat tuaja.
 
 
MËKATI MË ARROGANT NË BOTË

Cili është mëkati më arrogant në botë?
Të përpiqesh të jetosh sipas Ligjit
 
Asgjë tjetër nuk ka rëndësi përveçse besimit në Perëndi. Ne jemi bekuar duke patur besim në bekimet e Tij. Ai ka vendosur t’i shpëtojë ata që kanë besim në Fjalën e Tij.
Por sot, mes atyre që besojnë, ka shumë që përpiqen të jetojnë sipas Ligjit të Tij. Shumica e të krishterëve janë të tillë. Është një gjë e lavdërueshme që ata përpiqen të jetojnë sipas Ligjit, por si është e mundur kjo?
Ne duhet ta kuptojmë se sa pa mend është që të përpiqesh të jetosh Ligjin e Tij. Sa më shumë të përpiqemi, aq më e vështirë bëhet. Ai tha: “Besimi vjen nga dëgjimi dhe dëgjimi nga fjala e Perëndisë”. Ne kemi nevojë ta dëbojmë arrogancën tonë në mënyrë që të shpëtohemi.
 
 

NE DUHET TË HEQIM DORË NGA STANDARDET TONA QË TË SHPËTOHEMI

 
Çfarë duhet të bëjmë që të shpëtohemi?
Ne duhet të heqim dorë nga standardet tona.
 
Si mund të shpëtohen njerëzit? Në faktin që ata ta dinë që vetë janë mëkatarë. Ka shumë që nuk janë shëlbyer pasi ata nuk mund të heqin dorë nga besimet dhe përpjekjet e tyre të gabuara.
Perëndia thotë që ata që nuk i ndahen librit të Ligjit janë të mallkuar. Ata që besojnë se ata mund të bëhen të drejtë gradualisht, ndërsa vazhdojnë të besojnë në Jezus dhe përpiqen t’i përmbahen Ligjit, janë nën mallkimin e Tij. Ata besojnë në Perëndi por përsëri mendojnë se ata duhet të jetojnë sipas Ligjit në mënyrë që të shpëtohen.
I dashur mik, a mund të bëhemi të drejtë nëpërmjet veprave tona ndërsa jemi akoma gjallë? Ne bëhemi të drejtë vetëm duke besuar në fjalën e Jezusit dhe vetëm atëherë do të shëlbehemi. Ne shëlbehemi vetëm duke patur besim në pagëzimin e Jezusit, gjakun e Tij dhe në faktin që Jezusi është Perëndia.
Kjo është arsyeja që Perëndia ka përgatitur ligjin e besimit për ne si një mënyrë për t’u bërë të drejtë. Shëlbimi nëpërmjet ujit dhe Frymës nuk mbështetet në veprat e njerëzve, por në besimin e të besuarit në fjalën e Perëndisë. Dhe Perëndia na shpëtoi për shkak të atij besimi. Kjo është mënyra se si e planifikoi Perëndia dhe se si e kompletoi atë.
Pse nuk u shëlbyen ata që besuan në Jezus? Pasi ata nuk e pranuan fjalën e shëlbimit të ujit dhe Frymës. Por ne, që jemi aq të papërsosur sa edhe ata, jemi shëlbyer për shkak të besimit tonë në fjalën e Perëndisë.
Nëse dy njerëz po punojnë në një gur mprehës, ai që ngelet mbrapa do të vazhdojë të punojë edhe mbasi njëri nga ata të merret. Ai që ka ngelur mbrapa është ai që nuk është shëlbyer dhe ai duhet të vazhdojë të përpiqet në mënyrë që të shpëtohet. Pse njëri nga ata merret dhe tjetri lihet mbrapa?
Shkaku është se njëri dëgjoi dhe besoi në fjalën e Perëndisë. Tjetri që u lodh aq shumë për t’iu përmbajtur Ligjit, në fund u hodh në ferr. Ai po përpiqej të zvarritej tek Perëndia, por Perëndia e shkundi atë ashtu si ne shkundim një insekt kur përpiqet të zvarritet në këmbën tonë. Nëse një njeri përpiqet të zvarritet tek Perëndia duke u përpjekur të zbatojë Ligjin, me siguri që ai do të hidhet në ferr.
Kjo është arësyeja që ne duhet të shëlbehemi nëpërmjet besimit në ujë dhe në Frymë.
“Të gjithë ata që mbështeten në veprat e Ligjit, janë nën mallkim, sepse është shkruar: “I mallkuar është cilido që nuk u përmbahet të gjitha atyre që janë shkruar në librin e ligjit, për t’i vënë ato në jetë”. Sepse në të zbulohet drejtësia e Perëndisë që është fund e krye nga besimi, siç është shkruar: ‘I drejti do të jetojë prej besimit’” (Galatasve 3:10-11, Romakëve 1:17).
Mosbesimi në fjalën e Perëndisë është një mëkat përpara Perëndisë. Si shtesë, është mëkat gjithashtu ta hedhësh mënjanë fjalën e Perëndisë sipas standardeve personale të një individi. Ne qeniet njerëzore nuk mund t’i përmbahemi Ligjit të Tij, pasi të gjithë kemi lindur mëkatarë. Dhe ne vazhdojmë të mëkatojmë gjatë gjithë jetës sonë. Ne mëkatojmë pak këtu, pak aty dhe kudo që shkojmë. Ne duhet ta kuptojmë që ne jemi prej mishi dhe nuk bëjmë asgjë tjetër përveçse mëkatojmë.
Një qenie njerëzore është si një pirg i madh plehu. Nëse përpiqemi ta mbajmë me vete kudo që shkojmë, do të përfundojmë duke e derdhur atë gjatë rrugës. Ne jemi të tillë. Ne vazhdojmë të derdhim mëkat kudo që shkojmë. A mund ta përfytyroni këtë?
A do të vazhdonit ende të pretendoni se jeni i shenjtë? Nëse do ta shikonit veten në mënyrë të qartë, ju do të ndalonit duke u përpjekur më kot të bëheshit i shenjtë dhe do të besonit në ujin dhe në gjakun e Jezusit.
Ne duhet ta dëbojmë kokëfortësinë tonë dhe ta pranojmë që jemi mëkatarë përpara Perëndisë. Pastaj duhet të kthehemi përsëri tek Fjala e Tij dhe të rizbulojmë se si Ai na shpëtoi me ujë dhe me Frymë.